Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Demant: Të punësuarit në Komunën e Kumanovës nuk janë degraduar në pozicione më të ulëta, nuk ka degradime, presione dhe kërcënime ndaj askujt

Оваа објава е достапна и на: mkмакедонски

Të nderuar,

Në tërësi i mohojmë dhe i hedhim poshtë akuzat e bëra sot në një konferencë për media nga kryetari i LSDM – së Kumanovës Martin Kostovski, për gjoja hakmarrje klasike politike në Komunën e Kumanovës ndaj punëtorëve, anëtarë të LSDM-së me shantazh, frikësim, kërcënim, presion dhe degradim.

Nuk janë të sakta informacionet e paraqitura se në Komunën e Kumanovës rreth njëzet punëtorë janë transferuar në pozita më të ulëta, apo siç thuhet – të degraduar, e aq më pak se dikush ka bërë presion ndaj punëtorëve.

Nuk janë të sakta as pretendimet për numrin e aktvendimeve të dorëzuara. Bëhet fjalë për nëntë aktvendime, dhe ky është proces i riorganizimit të administratës komunale, i cili është plotësisht në përputhje me ligjin, dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, e gjithë kjo me qëllim të përmirësimit maksimal të punës së institucionit, i cili është një shërbim për tërë qytetarët.

U bëjmë thirrje të gjithë nëpunësve zyrtarë, nëse ndokujt i është bërë presion partiak apo i ndonjë lloj presioni tjetër, të raportojnë menjëherë tek organet shtetërore.

Disa Aktvendime të lëshuara nga kryetari i komunës janë rezultat i funksionimit të vazhdueshëm të institucionit dhe në pajtueshmëri të plotë me konkluzionet e raportit të auditimit të Entit Shtetëror të Auditimit (ESHA), ku thuhet qartë se është e nevojshme tërheqja e autorizimeve të dhëna personave, të cilët punojnë në punë të tjera, dhe jo në përputhje me aktvendimet që kanë marrë për punë, në bazë të aktit për sistematizim.

Puna aktuale është në drejtim të përmirësimit të vetë organizimit dhe punës në administratën komunale, e cila në periudhën e kaluar është dëshmuar të jetë e nevojshme.

Asnjë zyrtar administrativ nuk është degraduar në detyrë, përkundrazi bëhet një rishpërndarje horizontale, e cila është plotësisht në përputhje me Ligjin për nëpunësit administrativë dhe ka për qëllim realizimin edhe të avancimeve të zyrtarëve dhe jo degradimin.

Avancimi i punonjësve bëhet sipas një procedure ligjore të rregulluar rreptësisht në të cilën vetë punonjësit aplikojnë për ato pozita. Aktvendimet e dorëzuara i vendosin punonjësit në njësi organizative ku paraprakisht ishte konstatuar se ka nevojë për staf profesional dhe të përshtatshëm, dhe në të kundërtën, me spekulimet dhe të pavërtetat e deklaruara, punonjësve iu dha besim shtesë se do të përmirësojnë funksionimin e administratës, në ata sektorë ku janë caktuar.

Duam të theksojmë edhe një herë se ndaj punonjësve nuk ka pasur asnjë presion partiak apo të ndonjë lloji tjetër. I hedhim poshtë dhe i mohojmë tërësisht deklaratat e rreme që bëhen në opinion lidhur me veprimet në komunë dhe realizimin e politikës kadrovike.

Back to top
Големина на фонт
Боја на контраст